Në pritje të Panairit të Librit, ja librat që propozojnë Shtëpitë Botuese

Pas disa ditësh, nis aktiviteti më i madh i promovimit të botimeve në Shqipëri, Panairi i Librit Tirana, i cili ka mbërritur në vitin e tij të 20-të.

Pjesëmarrja e lartë, aktivitetet, shkrimtarët në stenda që firmosin autografë dhe lexuesit që dalin me trofetë e tyre të çmuar prej letre, nga dyert e Pallatit të Kongreseve janë pamja e përhershme nga ky panair.
Por cilët janë librat që Shtëpitë Botuese propozojnë për lexuesit?

Botimet Dudaj

Një nga shtyllat e këtij panairi për Dudaj, është “Shtyllat e tokës” e Ken Follet.

“Shtyllat e Tokës” rrëfen historinë e Filipit, kryemurg i Kingsbrixhit, i cili merr përsipër të ndërtojë katedralen gotike më të madhe që ka njohur bota… historinë e Tomit, muratorit që bëhet arkitekti i tij, një njeri i ndarë më dysh në shpirtin e vet… atë të zonjës Aliena, që nuk mund të shpëtojë nga një turp i fshehtë… dhe historinë e luftës ndërmjet të mirës dhe të keqes, që do ta kthejë kishën kundër shtetit dhe vëllanë kundër vëllait. Një rrëfenjë epike magjepsëse e ambicies, anarkisë dhe pushtetit absolut, e vendosur në sfondin e gjerë mesjetar të Anglisë së shekullit të dymbëdhjetë – kjo është kryevepra historike e Ken Follett-it.

“Gushëkuqi” nga Jo Nesbo, “Rregulli i ekuilibrit” nga Gianrico Carofiglio, “Shtatë leksione të shkurtra fizike” nga Carlo Rovelli, “Origjinat shoqërore të diktaturës dhe demokracisë” nga Barrington Moore, “Vdekje si boja” e Cornelia Funke, përbëjnë kolazhin e botimeve të disa zhanreve që do të jenë në stendën e Dudaj, por nuk do të mungojnë aty as botimet e autorit dhe personazhit të papërsëritshëm italian, Pier Paolo Pasolini, “Djem jete” dhe “Një jetë e dhunshme” dhe një prej shkrimtarëve që ka ngjallur më shumë diskutime vitet e fundit, Salman Rushdie, nga këtë herë sillet në shqip “Klouni Shalimar”.

Libri i gazetares Rudina Xhunga, me të bijën Alana Hila, pret gjithë mamatë e reja me fëmijët e tyre, sepse ky është një libër për çdonjërin prej tyre.

Botimet Pegi

Pesë botime të reja, dy ribotime dhe tri pika të forta.

Më e para është vëllimi i tretë i sagës së “Mikeshës gjeniale” të Elena Ferrante-s, sjellë nga “Pegi”, në panairin e kaluar. “Histori arratie dhe qëndrese”, titullohet libri dhe është titulli kryesor për botuesen Loreta Berhami, por ndoshta për ju mund të jetë titulli i ri nga Charles Bukowski, një tjetër pikë e fortë në këtë panair për Pegi-n.

“Posta”, përkthyer sërish nga Iris Sojli si “Bukë me sallam”, do të jetë te Pegi, bashkë me librin më të njohur të shkrimtarit, që vjen i ribotuar, “Femrat”.

Pika e tretë e fortë, është ribotimi i “Mos më lër të shkoj” i Kazuo Ishiguros, nobelistit të saposhpallur. Autori japonez do të gjendet vetëm te stenda e Pegit, e cila do të vijojë me romane të tjerë të tij.

“Dhunë e dhunti” i Enit Karafilit është romani shqiptar i panairit për Pegin, e cila këtë herë sjell dhe një libër me poezi, po nga një shkrimtare shqiptare, Entela Tabaku, “poemat e hueja”.

“Zemra vërtitese”, Donal Ryan mbyll titujt e rinj, me trajtimin e efekteve të një krize ekonomike në një komunitet të vogël irlandez, që duket gjithsesi, për nga ngjashmëritë, i shkruar enkas për Shqipërinë.

Botimet Toena

Shtëpia botuese “Toena” do të sjellë disa botime të reja në Panair, tituj që vijnë për herë të parë në shqip dhe libra të autorëve shqiptarë, siç janë Besnik Mustafaj dhe Namik Dokle, etj.

Një nga librat që vjen për herë të parë në shqip, është “Spiunia” e Paulo Coelho-s, kushtuar Mata Hari-t. “Paris, burgu Saint-Lazare, 1917. Një grua pret me krenari fatin e saj. Ka vetëm një dëshirë: që e bija të dijë të vërtetën, që të mos i besojë askujt veç së ëmës. Kështu, merr laps e letër për të treguar jetën e saj të guximshme dhe të përfolur.Ajo është Mata Hari, gruaja më e adhuruar dhe më e dëshiruar e kohës së saj: balerinë turbulluese, grua joshëse e pagabueshme në zgjedhjen e burrave më të pasur e të fuqishëm, e aftë të jetë për ta kurtizane, dashnore dhe njeri i besuar; ndoshta, edhe për këtë arsye, ngjallte xhelozi dhe smirë te gratë e aristokracisë parisiene”. Një histori për t’u zbuluar ngritur mbi fakte.

“Nagasaki” është një nga librat e tjerë të rinj të këtij panairi, me autor Eric Faye dhe përkthyese Blerta Hyska, i etiketuar si një kryevepër melankolie dhe një tregim therrës për vetizolimin.

“Ujkonja e Stambollit” vjen gjithashtu këtë panair, përkthyer nga Kristo Pulla. Historia e një gruaje që përjetoi dashurinë dhe urrejtjen dhe u shndërrua në egërsirë për hir të njerëzve të saj të dashur.

“Libri i nënës sime” dhe “Helmi i dashurisë” janë përkthyer nga Amantia Kapo dhe do t’i gjeni në Panair, bashkë me veprat e shkrimtarëve shqiptarë, “Guri i rëndë në vend të vet”, nga Bardhyl Xhama, “Këngë të Solomint” nga Sadik Bejko, “Biri i Adamit” nga Besnik Mustafaj, “Lulet e skajbotës” nga Namik Dokle”

Mapo Edition

Botuesit e Blendi Fevziut dhe Ben Blushit vazhdojnë ta presin suksesin nga autorë shqiptarë. Në këtë Panair, Mapo Edition do të sjellë “In Love, Një qind e një poezi dashurie” nga Preç Zogaj, por sigurisht lexuesit do të mund të gjejnë dhe “Sarah” të Alfred Pezës, të publikuar para pak kohësh.

Një tjetër gazetar do të jetë i pranishëm në stendën e Mapo Edition, këtë herë Sokol Balla, i cili rikthehet në fushën e botimeve voluminoze, me “Loja që ndryshoi Shqipërinë”.

Për të gjithë të apasionuarit e filozofisë, sapo është botuar “Filozofia moderne”, nga Roger Scruton përkthyer nga Spartak Ngjela.

Botuesi, Henri Çili do të jetë i pranishëm si autor në këtë Panair me librin e tij të kolanës esse, ide&debate, “ Vonesa shqiptare, Si Edi Rama e bëri elektoral reformizmin më 25 qershor?”

“Dhjetë vite krizë dhe populizëm; çka mbetur nga mendimi liberal?”, me këtë pyetje publicisti Henri Çili nis një ese të gjatë filozofike mbi mendimin e politikën shqiptare vitet e fundit, për të arritur në konkluzione dhe pyetje mbi strukturën e mendimit bashkëkohor shqip në librin “Vonesa shqiptare” . “Si Edi Rama e bëri elektoral reformizmin më 25 qershor?”, është një ndër pyetjet që ngre Çili, duke dashur të zbërthejë përmes metodës reformiste të Ramës, ngjarje që kanë shoqëruar jetën politike shqiptare. Ky libër është vazhdim i një cikli shënimesh në përfundim të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 dhe fill i një refleksioni të gjatë mbi reformizmin, liberalizmin dhe aktualitetin politik shqiptar, që prej vitit 2001. Ai paraprihet nga libri “Kundëreforma – Një shpjegim (subjektiv) për 23 qershorin”, botuar në shtator 2013 dhe shoqërohet me disa artikuj e polemika rreth kësaj teme. Me parathënie e pasthënie nga poetja Mimoza Ahmeti, ky libër është një vlerë e shtuar në mendimin e ri shqip.

Shtëpia botuese Onufri

Vjen me botime të rëndësishme edhe shtëpia botuese Onufri e cila këtë vit mbush 25 vjet nga krijimi.

Ata sjellin romanin e ri të së afirmuarës Mira Meksi dhe romanin e parë të Sindi Dobit, “Nën lëkurë”.

Nën logon Minerva sjellin një varg librash bestseller, që tërheqin me stilin e tyre të freskët dhe rolin si udhërrëfyes, pa harruar kolanën e librave të Kadaresë dhe Shakespear-it.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme