NYT: Dekada e zymtë e Pavarësisë së Kosovës

Gazeta prestigjioze New York Times ka publikuar një artikull për historinë e Kosovës që prej fundit të luftës në vitin 1999 e deri në dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Reporteri Andrew Testa në këtë artikull të NYT ka përshkruar Kosovën gjatë tërë 20 vjetëve sa ka qenë raportues për Kosovën.

Ai shkruan se së paku një herë në vit viziton Kosovën dhe ka parë ndryshime të mëdha gjatë viteve të fundit.

“Ka ndryshime te vendi dhe tek njerëzit. Kur u ktheva këtë dimër, u befasova sesi optimizmi i madh i kosovarëve ishte shndërruar në zhgënjim. Ata janë të pakënaqur edhe me korrupsionin që mbretëron”, ka shkruar Testa për New York Times.

“Të betohem në Zot, po të mos ishte për ata që kanë dhënë jetën për këtë, unë do të thosha të kthehemi si dikur”, i ka thënë Testas një qytetar nga Kosova. “Atëherë kishim jetë më të mirë; kishim më shumë mundësi”, ka thënë ai, duke mos dashur t’i përmendej emri shkaku i frikës për deklaratën që e konsideronte si jo patriotike.

Reporteri i NYT ka shkruar edhe për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit para selisë së partisë së tij në Mitrovicë, transmeton Koha.net.

“Mitrovica mbetet qytet i ngrirë dhe i ndarë. Frika mbretëron në pjesën serbe. Një banor përshkruan policët atje si lulet, vetëm për dekorim”, ka shkruar ai.

New York Times gjithashtu ka shkruar për masakrat e kryera në Kosovë. Testa përmend masakrën e Mejës, në të cilën u vranë 372 burra e djem.

“Disa trupa ende mungojnë. Disa janë gjetur nëpër varre masive në Serbi”, ka shkruar Testa.

Reporteri i New York Times ka vizituar edhe Gjakovën. Në këtë qytet është takuar me Nusrete Kumnovën dhe Ferdonije Qerkezin. Gjatë luftës djali i vetëm i Kumnovës ishte marrë nga forcat serbe dhe ende është i zhdukur, ndërsa Qerkezi ka humbur burrin dhe katër djemtë.

Mbetjet e dy djemve të Qerkezit janë gjetur dhe varrosur. Burri i saj dhe dy djemtë tjerë ende mungojnë.

“Për këto gra, koha nuk ecën. Qerkezi ka shndërruar shtëpinë në muze. Dhomat janë ashtu siç i kanë lënë ata”, shkruan NYT.

“Ajo refuzon të përgjigjet se si ndjehet për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke më thënë: ‘Pah, mos më pyet!’”.

New York Times nuk harron të përmend edhe problemin me viza që kishte pak javë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Krejt në fund të artikullit derisa përmend suksesin ndërkombëtar që i kanë sjell Kosovës, Rita Ora Dua Lipa dhe Era Istrefi, New York Times pyet në fund: Me pagat e ulëta, papunësi, ekonomi të dobët dhe pa mundësinë për të udhëtuar, këto autostrada të ndritshme ku po i shpien kosovarët?

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme