Politika, taksa që e paguajnë të gjithë

Nga Lorenc Vangjeli     /

Vetëm një javë më parë akush nuk do të donte të vinte bast se fundjava do të lindtte papritur kabinetin Rama 2. As ministrat që ikën, as ministrat që erdhën. Nuk e dinin as protestuesit në çadër që kërkojnë një listë të pafundme dëshirash dhe as Basha që po ju jep zërin e tyre, edhe dëshirave të tij vetjake. Ishte dorëjashtë, me të gjitha gjasat, edhe Ilir Meta, tek i cili u drejtua fillimisht vështrimi si bashkaksioner i qeverisë.

Kryeministri Rama i zuri të gjithë në befasi. Miqtë dhe kundërshtarët. Të politizuarit dhe indiferentët. Duke nisur me Tahirin, ministrin më të rëndësishëm të kabinetit dhe pa përfunduar me Çuçin, që e kishte kryer mirë misionin e tij që një vit e gjysëm më parë me reformën territoriale. Duke vazhduar me Ilir Beqajn, njeriun e ndryshimit radikal në shëndetësi dhe Klosin që ka ndryshuar fare pak në gati 20 vjet brenda PS-së. Kësaj here forma si ndodhën përkëmbimet në kabinet – befasia – u bë shumë më e rëndësishme se vetë thelbi që duhet të shpjegojë se pse u bënë lëvizjet, pse ikën ata ministra dhe pse erdhën disa të tjerë. Në fillim si parim dhe akt politik dhe pastaj edhe emër për emër.

Ky veprim i pazakontë për vetë kohën e pazakontë në të cilin ndodh mund të shoqërohet me shumë arsye dhe teori konspiracioni. Nga ato që prodhohen me shumicë brenda në mënyrë lokale dhe që kërkojnë “ingredientë” edhe nga argumenta shumë më ndërkombëtarë. Por në të gjitha rastet, secila teori ka pikën e saj të dobët dhe që mund të rrëzohet me kundërargumente. Largimi i ministrave për shkak të rezultateve në detyrë bie si version sepse ata u lëvduan nga vetë punëdhënësi i tyre kryeministër. Lista e arsyeve të largimit për shkaqe politike, afrimi i fushatës, përgënjshtrohet sepse shumica e ministrave të tjerë në detyrë janë në të njëjtat kushte me të ikurit.

Kabineti Rama 2 nuk ka lidhje as me rolin e Ilir Metës në koalicion dhe as me protestën e opozitës, thotë vetë Rama, i cili në të gjitha rrethanat, lëvizjet e tij i ka bërë duke u përpjekur t’i lexojë ato qoftë me dyshimet e mundshme të kryetarit të kuvendit, qoftë me euforinë e protestës që vetvetiu do të ndjehej e fituar. Në rastin e parë ato nuk do të ishin pjesë e një negociate mes PS-së dhe LSI-së për marrëdhënien e nesërme të tyre elektorale dhe as me një kompromis të kërkuar mes tij dhe protestës së PD-së. Edhe versioni që e sheh çadrën e protestës si cirk të cilit deri më tani i ka munguar buka që të mblidhet në togfjalëshin “bukë e cirk”, siç thoshin latinët, është pothuaj i pamundur. Palët në javën e katërt të krizës me bulevard, janë po në të njëjtën situatë si në ditën e parë të saj dhe ministrat që u liruan nga detyra, as nuk ju afruan si trofe asaj dhe as u pranuan si të tillë nga çadra.

Një version tjetër që pak ose shumë pak përmendet ka të bëjë me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Ka kohë që në Tiranë dyshohet se ka një skenar paramaqedonas – skandali i përgjimeve – që mund të trondisë kryeqytetin politik të vendit, por kjo gjë shpesh është verifikuar më shumë si dëshirë për të ndodhur sesa mundësi që të ndodhë. Edhe pse kësaj here, së paku në formë duket ndryshe.

Ka shumë pak gjasa që të mësohet ndonjëherë plotësist se çfarë ka ndodhur në fundjavën e dytë të marsit, në pritje të ditës së pranverës. Të vërtetën e plotë e di vetëm Rama, i cili nesër mund të dëshmojë vetëm të vërtetën e tij, por jo arsyet që e çuan atë drejt asaj të vërtete. Që është e ndryshme në rastin e Tahirit dhe në rastin e Beqajt. Dhe që është akoma më e ndryshme me Klosin dhe Çuçin, katër ministra, nga të cilët të paktën tre, kanë pasur marëdhënie edhe personale me Ramën. Njëlloj siç janë tërësisht të ndryshme arsyet e afrimit të katër ministrave të rinj në kabinet, të cilat kanë secili marrëdhënie personale me Ramën.

Një javë më parë askush nuk do të vinte bast për ndryshimet në qeveri. Askush nuk mund të parashikonte këtë lloj lëvizjeje. Me këtë logjikë, po kaq i vështirë është edhe parashikimi i asaj që do të ndodhë në Shqipëri një muaj më pas, për shembull. Politika në Shqipëri nuk ka qenë kurrë ashtu siç rekomandohet të jenë taksat: të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Ndoshta për këtë arsye, edhe pse politika në Shqipëri nuk ka qenë gjithmonë e dobishme, ajo nuk ka qenë kurrë e mërzitshme. Sepse është interesante. Pikërisht se nuk është si taksat me të cilat mund të bëhet edhe evazion, por është një taksë që e paguajnë të gjithë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme