(Ish) Maqedonia…

Agron Bajrami

Kriza e tanishme në Maqedoni nuk është pasojë e kërkesave të drejta të shqiptarëve për pozitë të përmirësuar në shtet. Kjo nuk është krizë ndëretnike. Kjo është krizë e shkaktuar nga politika e kriminalizuar, e cila përdor sentimentin nacional, posaçërisht frikën dhe paragjykimet, për të gjeneruar përkrahje popullore

Situata aktuale në Maqedoni është vetëm edhe një dëshmi se në rajonin e Ballkanit, ku shtetet rëndom janë të kapura nga struktura të kriminalizuara, që maskohen si parti politike, zgjedhjet demokratike nuk zgjidhin problemet. As marrëveshjet e negociuara nuk u japin fund konflikteve. As ndihma perëndimore nuk imponon norma demokratike.

Sepse, kriminelët e maskuar si politikanë – apo mafia politike, siç i quan në rastin e Maqedonisë analisti Sasho Ordanoski – luftojnë për mbijetesë në pushtet, i cili është streha e parafundit e tyre. E streha e fundit është, natyrisht, patriotizmi.

* * *

Në rastin konkret të Maqedonisë, situata është e ndërlikuar qëllimisht nga ana e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili, i akuzuar për keqpërdorime e manipulime politike, korrupsion dhe kriminalizim të aparatit shtetëror, madje edhe vrasje të porositura, tani lufton jo vetëm për mbijetesën e tij politike, por edhe për shmangien nga sanksionimi ligjor për të gjitha krimet dhe keqpërdorimet që akuzohet se i ka kryer gjatë sundimit të tij prej vitit 2006 deri më sot.

Në këtë përpjekje për mbijetesë, Gruevski i është kthyer asaj që rëndom i kthehen politikanët e korruptuar në momentin kur pushteti u kërcënohet: kartës nacionaliste. Duke gjetur shkas te “Platforma shqiptare”, e përbashkët, e pranuar si bazë për bashkëqeverisje nga opozitari socialdemokrat, Zoran Zaev, Gruevski ka futur në përdorim makinerinë propagandistike nën kontrollin e tij, duke bindur një pjesë të qytetarëve sllavë të Maqedonisë se koalicioni i dakorduar nga Zaev dhe shqiptarët është kërcënim për shtetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, dhe se prapa tij qëndrojnë aspiratat e Tiranës dhe të Prishtinës.

Mbjellja e frikës nga shqiptarët në rastin e Maqedonisë është punë relativisht e lehtë. Si në rastin e Serbisë dhe të serbëve, historia e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është ndërprerë jo si rezultat i vetëdijesimit të shoqërisë, por si pasojë e një lufte të armatosur dhe marrëveshjeve të imponuara nga bashkësia ndërkombëtare, siç ishte rasti me luftën e vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit. Kështu, armiqësitë e së kaluarës mbeten gjallë, si në librat historikë, ashtu edhe në narrativin politik, që është bazë e fortë mbi të cilën çdo klithje populliste e antishqiptare rezonon me një pjesë jo të vogël të popullatës. Kështu krijohet situata e protestave antishqiptare, incidenteve ndëretnike dhe atmosferës së përgjithshme të linçit, që tani mbretëron rrugëve të Shkupit.

Por, shihet qartë se ky nuk është një reagim spontan i maqedonasve, që ndihen të kërcënuar nga shqiptarët, por është një skenë e përgatitur dhe e kontrolluar nga kreu i VMRO-së, Gruevski. Dhe përderisa është e tillë, ajo do të eskalojë apo deeskalojë, varësisht nga kalkulimet që ka ai në raport me gjasat e tij për të siguruar mbijetesën (politike, por jo vetëm).

Që, rrjedhimisht, do të thotë se kriza e tanishme në Maqedoni nuk është pasojë e kërkesave të drejta të shqiptarëve për pozitë të përmirësuar në shtet. Kjo nuk është krizë ndëretnike. Kjo është krizë e shkaktuar nga politika e kriminalizuar, e cila përdor sentimentin nacional, posaçërisht frikën dhe paragjykimet, për të gjeneruar përkrahje popullore.

Në këtë situatë, përmbajtja e faktorit shqiptar në Maqedoni është esenciale, sepse çdo kundërreagim do të shkojë në favor të skenarit të Gruevskit, dhe do të përdoret si justifikim për akuzat antishqiptare që tashmë po bëhen hapur në Shkup.

Për më tepër, një reagim shqiptar do të bllokonte procesin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve që tashmë ka fituar fuqi dhe mbështetje nga një pjesë jo e vogël e sllavo-maqedonasve, përkrahës të socialdemokratëve të Zaevit.

Në këtë pikë, përgjegjësia i bie edhe Prishtinës, dhe para të gjithëve Tiranës, që të mos përfshihen në luftën retorike me Gruevskin. Ndihma më e madhe e Shqipërisë dhe e Kosovës për Maqedoninë dhe shqiptarët atje është nëse do të shërbenin si faktor qetësues dhe unifikues, jo si pjesë e përplasjeve.

Po ashtu, Kosova dhe Shqipëria do të duhej t’i jepnin kohë, dhe argumente, bashkësisë ndërkombëtare, BE-së dhe NATO-s, që të ndihmojë atë që ata e quajnë “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, të mos përfundojë në histori si “Ish-Maqedoni”. Një fund i tillë, edhe nëse dikujt mund t’i duket joshës nga perspektiva e bashkimit kombëtar shqiptar, do të rihapte konfliktet në rajon, e bashkë me to edhe rivizatimin e kufijve, që nuk ka si të përfundojë ndryshe pos në tragjedi të përmasave ndoshta edhe të papara në Ballkan.

* * *

Maqedonia tani vuan një krizë që i erdhi nga lidershipi që ka. Kriza të ngjashme – të shkaktuara nga njerëz që kontrollojnë pushtetin dhe shtetin – kanë pasur, dhe do të kenë, edhe shtetet tjera në rajon. Kosova ende kalon nëpër një krizë politike të shkaktuar nga individë që luajnë me shtetin. Shqipëria vazhdimisht jeton nën tensionin e raporteve të acaruara pozitë-opozitë.

Zhvillimet e fundit, sidomos në Maqedoni, sigurisht se duken më dramatike, për shkak të kontekstit të ri global. Një BE e dobësuar, që duket sikur shkon drejt shpërbërjes, një administratë e re dhe e paprovuar në Washington, një Rusi në ngritje në rajon, si dhe shtimi i kërcënimeve globale, siç janë terrorizmi, krizat e refugjatëve dhe pasiguria ekonomike, është e paracaktuar se do ta bëjnë çdo problem të duket edhe më i rëndë, ndërsa do të përdoren nga popullistët lokalë për të nxitur situatat.

Por, për dallim nga politikanët dhe të korruptuarit e tjerë, populli nuk e ka të ardhmen e kufizuar nga mandati zgjedhor apo procesi politik. Për një popull, një shoqëri apo shtet – e ardhmja përcaktohet dhe ndryshohet në vazhdimësi nga veprimet e sotme. Një hap i vogël në drejtimin e gabuar nga një politikan i korruptuar sot, mund të nënkuptojë shkuarjen në drejtimin e gabuar për 50 vjetët e ardhshëm për gjithë një popull.

Dhe ky nuk është problem vetëm për Maqedoninë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme