Presidenti i Shqipërisë, Buajr Nishani flet për situatën në Maqedoni dhe veprimin e Ivanovit

Intervistlë e gazetares Merita Haklaj e ABC News me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.  Fokusi i intervistës me kreun e shtetit ishte situata në Maqedoni por dhe konfliktet poltike që nuk nxisin bashkëjetesë, por mëri në rajon. Historia është leksioni më i mirë, tha kreu i shtetit, e të gjithë duhet të mësojnë prej saj.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri thirrje për transparencë dhe respektim të ligjeve  të kushtetës në ngritjen e mekanizmave që do të mundësojnë zbatimin  e reformës në drejtësi. Lidhur me rolin e ONM-së për ngritjen e organeve të Vettingut, kreu i  shtetit thekson se Kushtetuta kërkon që të huajt të veprojnë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pyetje: Zoti Nishani këto dy-tre ditët e fundit kanë qenë delikate përsa i përket situatës në Maqedoni. Në fakt është një situatë që vazhdoi gjatë për shkak të pamundësisë të atyre që kanë fituar zgjedhjet, por dhe të vetë Zaevit, i cili tashmë priste që të konfirmohej si lideri i koalicionit që do të qeveriste vendin. Mesa duket Presidenti nuk e pa të arsyeshme. Presidenti Ivanov tha se në mbështetje të Kushtetutës dhe ndërgjegjes së tij nuk mund t’i jepte Zaevit mandatimin për të krijuar qeverinë duke e cilësuar platformën e shqiptarëve si të rrezikshme. Ju, si Kryetari i Shtetit të Republikës së Shqipërisë si e komentoni këtë zhvillim që ka ndodhur së fundmi në Maqedoni, por që në fakt është që prej ditës së zgjedhjeve, duke pasur parasysh dhe situatën e re politike dhe mes faktorit shqiptar atje.

Presidenti Nishani: Shqipëria as nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ndërhyn në zhvillimet e brendshme politike të ndonjë një vendi, përfshirë edhe Maqedoninë. Shqipëria është e interesuar, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për stabilitetin e Maqedonisë, për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve fqinjësore me Maqedoninë. Ka një dimension akoma më të rëndësishëm në këtë angazhim të Shqipërisë për faktin se shqiptarët janë një faktor shtetformues në Maqedoni dhe pa dyshim në këtë kontekst, jo vetëm si faktor shtetformues, por edhe si përcaktim dhe detyrim kushtetues në Republikën e Shqipërisë, Shqipëria është e ngarkuar me përgjegjësi kushtetuese për të mbështetur edhe për të qenë e interesuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
Deklaratat e fundit të disa prej autoriteteve politike në Maqedoni, për fatin e keq janë deklarata të cilat nxisin në mënyrë artificiale ndasitë dhe urrejtjen ndëretnike, çka është në radhë të parë shumë e dëmshme për vetë Maqedoninë, është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është e dëmshme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë.
Ne kemi mbështetur dhe është detyrë kushtetuese të mbështetet e faktorit politik shqiptar për të pasur një mekanizëm siç është platforma që partitë shqiptare kanë arritur me vullnetin e tyre politik, angazhimin e tyre strukturor si një mekanizëm që do t’u garantojë shqiptarëve zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e dakordësuar nga të gjitha palët në Maqedoni, maqedonas dhe shqiptarë, e dakordësuar dhe e garantuar nga komuniteti ndërkombëtar. Për fatin e keq në të gjitha vitet që pasuan nuk është konstatuar një zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Ndaj, unë gjykoj se faktori politik shqiptar në Maqedoni ka gjetur mekanizmin më të mirë për të garantuar përmes kësaj platforme zbatimin e plotë në frymë e në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit. Çdo tentativë për të artikuluar përmes deklaratave që nxisin, e theksoj edhe një herë, në mënyrë artificiale urrejtjen ndëretnike në Maqedoni, dukshëm i adresohet transferimit të konkurencës dhe konfliktit politik të brendshëm partiak në Maqedoni, në fushën e përplasjeve ndëretnike.
Unë mendoj se është e gabuar, është e gabuar kudo që ajo të ndodhë, që konkurrenca, beteja, lufta për pushtet politik në jetën e brendshme të transferohet në konflikte të tjera, qofshin ato me nuanca ndëretnike apo me nuanca të tjera, aq më keq edhe ndërfqinjësore. Ne duhet të kuptojmë diçka që asnjë politikan nuk është i përjetshëm në karrigen e pushtetit ku është ulur. Ekzistenca e popujve dhe e drejta e popujve për të ushtruar të gjitha liritë e tyre është e përjetshme. Unë mendoj që shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni kanë bashkëjetuar shumë e shumë kohë më parë se sa Presidenti apo Kryeministri të ulet në karrigen përkatëse dhe jam i bindur që do të vazhdojnë të bashkëjetojnë edhe shumë e shumë kohë më pas se sa presidentë apo kryeministra të caktuar të lënë karriget e pushtetit. Unë jam i bindur se qytetarët e Maqedonisë, shqiptarët, por dhe maqedonasit do ta kuptojmë se sa e rëndësishme është për të ardhmen e tyre, të vendit të tyre e të familjeve të tyre bashkëjetesa dhe ndërtimi i një bashkëjetese jo vetëm formalisht në respekt reciprok midis komunitetesh, por në respekt të lirive të gjithësecilit, pa dyshim liri të garantuara këto nga kolona kushtetuese dhe legjislative. Ndaj çdo akt i ndërmarrë në rrugë ligjore që përfaqëson dukshëm vullnetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë për të garantuar këto liri dhe të drejta të çdo qytetari të Maqedonisë besoj se përfaqëson vetëm dimensionin e një vendi normal, e një demokracie normale dhe e hapësirave për të shkuar së bashku, shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni në proceset që vetë Maqedonia, ashtu si dhe Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit i kanë deklaruar si prioritete, që është integrimi euroatlantik, ai në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Rajoni ynë i ka për fatin e keq ende të freskëta leksionet e një të shkuare jo të largët kur platformat politike përktheheshin dhe synonin të kishin përfitime duke shfrytëzuar apo nxitur konflikte ndëretnike. Besoj që në një të shkuar jo të largët këto platforma kanë treguar se si mund të dështojnë dhe ideuesit e tyre të dështojnë totalisht dhe të kenë një destinacion jo të mirë. Unë jam i bindur që Shqipëria si deri më sot do të vazhdojë të kontribuojë për marrëdhëniet e mira fqinjësore me Maqedoninë dhe çdo vend tjetër fqinj të saj. Ne përkrahim, mbështesim dhe do të nxisim sa që të jetë e mundur proceset e integrimit euroatlantik të Maqedonisë dhe jam i bindur gjithashtu që qytetarët e Maqedonisë, shqiptarë dhe maqedonas, nuk do të fokusohen dhe nuk do të adresojnë të ardhmen e tyre tek ambiciet dhe egot politike të individëve të caktuar, të cilët mund ta konsiderojnë të përjetshëm pushtetin, por do ta adresojnë angazhimin, kontributin dhe orientimin e tyre tek e ardhmja e Maqedonisë në tërësi si shtet i tyre i përbashkët, tek bashkëjetesa e tyre dhe tek kapërcimi i sfidave që vijnë për Maqedoninë si shtet, ashtu siç vijnë dhe për Shqipërinë sfida të ndryshme që shqiptarët në Shqipëri janë të angazhuar për t’i përcjellë dhe për t’i përballur në mënyrën më të mirë efikase të mundshme.

Gazetarja: U duk sikur shqiptarët, elektorati atje iu dha një mesazh edhe partive politike shqiptare me këto zgjedhje duke e rikonfiguruar pjesën politike shqiptare. Ndërkohë ajo që thoni ju që askush nuk është i përjetshëm gjithsesi ka treguar se gjithë këto vite që bashkëjetesa vazhdon të mbetet e vështirë mes dy etnive shtetformuese në Maqedoni. Sa optimist jeni, duke pasur parasysh edhe zhvillimet në rajon, që kjo situatë do të ndryshojë, Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje aktualisht?
Presidenti Nishani: Se cili do të jetë qëndrimi i qytetarëve të Maqedonisë është një e drejtë vetëm e tyre në sensin e proceseve vendimmarrëse politike, e institucioneve legjitime të dala nga zgjedhjet e fundit të Maqedonisë. Edhe një herë, Shqipëria nuk interferon dhe unë gjej rastin të nënvizoj faktin se edhe artikulimet e adresuara për ndërhyrje nga ana e Shqipërisë apo të autoriteteve të Shqipërisë në proceset politike të shqiptarëve nuk kanë asnjë të vërtetë dhe asnjë bazë apo fakt. Platforma e partive politike shqiptare është një produkt i vullnetit tërësisht të tyre politik. E theksoj edhe një herë, kanë parashikuar të jetë mekanizmi më i mirë i garantimit, zbatimit dhe implementimit të plotë në frymë dhe në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit. Qytetarët janë sovrani dhe ata marrin vendimet përkatëse. Unë mendoj se interesi më i madh i qytetarëve në Maqedoni, shqiptarë apo maqedonas është perspektiva e garantuar dhe e prosperuar e jetës së tyre individuale, familjare dhe komunitare dhe e shtetit të Maqedonisë. Ka pasur, me të drejtë siç e nënvizoni dhe ju, herë pas here tensione në rrafshin ndëretnik. Në konstatimin tim për fatin e keq këto kanë qenë tensione të injektuara nga interesa politike të individë dhe grupe të caktuara në fuksion të pushtetit të tyre personal dhe të grupimeve që kanë përfaqësuar. Asnjëherë nuk ka pasur një tregues që kjo i ka shërbyer Maqedonisë në të vërtetë. Asnjëherë nuk ka pasur një tregues apo rezultat që të thotë që kjo u ka shërbyer qytetaërve të Maqedonisë, as shqiptarëve dhe as maqedonasve. Prandaj, unë mendoj dhe jam i bindur se qytetarët e Maqedonisë e kanë të gjithë pjekurinë e tyre qytetare dhe civile qofshin qytetarë shqiptarë, qofshin maqedonas që interesin e tyre ta shikojnë jo thjeshtë tek bashkëjetesa, por edhe tek kjo bashkëjetesë, e cila të adresohet në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm shoqëror, social, ekonomik dhe dimensionin e sigurisë të vetë shtetit të tyre, të cilin ata e garantojnë dhe ku ata jetojnë. Në konkluzion do të thoja që, çdo ego, ambicie politike individuale e lidhur me pushtetin institucional nuk duhet kurrësesi që të transferohet dhe t’i kalohet si përgjegjësi relatave dhe marrëdhënieve ndëretnike, të cilat unë mendoj që janë të destinuara që të vijojnë edhe që të respektojnë njëra-tjetrën.

https://www.youtube.com/watch?v=pj1as1EKXSA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme