Propaganda e Qeverisë kundër protestës, “Prestige Resort” u shemb në pikun e sezonit turistik/ Robert Aliaj: Rama si Enveri, ia kaloi edhe Ramizit

Debati për mënyrën se si po menaxhohet turizmi në Shqipëri është rikthyer në vëmendje pas komenteve të këngëtarit Robert Aliaj, ndërsa ndër mend të vjen rasti i paprecedentë me Prestige Resort, i cili u hodh në tritol në kulmin e sezonit turistik. Teksa sot Rama ‘kujdeset’ për imazhin e Shqipërisë, në rastin e Prestige harroi që ishte plotë me turistë.

Në “Programin e Drekës” në News24, gazetarja Nisida Tufa solli në vëmendje paradoksin e një aksioni të tillë me urdhër qeveritar, në një periudhë kur resorti kishte fluks turistësh.

“Duke marrë një paralelizëm, sa ironike mund të tingëllojë kur në mes të pikut të turizmit, u prish Prestige Resort. Po e them si eksperiencë në televizionin ku pikërisht punoj. Nuk e di sa ironike mund të jetë kjo për sa i takon turistëve, për t’i akomoduar këtu dhe për t’u dhënë një situatë të qetë e të mirë për të shijuar pushimet e tyre”, u shpreh Tufa.

Duke iu referuar edhe debatit për koncertin e Kanye West në Tiranë, Robert Aliaj tha se ngjarje të tilla po përdoren si mjete propagandistike, ndërsa kritikoi mënyrën se si kryeministri Edi Rama u përfshi në promovimin e koncertit. “Unë e kam thënë edhe më parë, ndoshta edhe më kanë keqkuptuar. Një koncert ishte në fund të fundit një iniciativë private, sepse qeveritë nuk bëjnë koncerte”, tha Aliaj.

Sipas tij, mënyra se si u trajtua eventi nga qeveria ishte e pazakontë. “I vetmi individ që kam parë në Europë, që përfaqëson shtetin, ministër, kryeministër apo president – që ka bërë këtë gjë, është një shqiptar, Edi Rama. E pa, e takoi dhe e trajtoi Kryeministrinë si një lajm të kohës së Enver Hoxhës”, deklaroi ai. Aliaj bëri edhe një krahasim me ish-udhëheqjen komuniste, duke thënë se edhe kur u soll në Shqipëri këngëtari Al Bano, sipas tij, nuk u përdor në të njëjtën mënyrë për propagandë. “Edhe Ramiz Alia, që bëri të njëjtën gjë me Al Banon, nuk e çoi veten deri aty. E përdori si simbol hapjeje, por jo në këtë formë”, u shpreh artisti. Ai kundërshtoi gjithashtu idenë se një koncert i tillë mund të konsiderohet sukses turistik.

BISEDA
Nisida Tufa: Duke marrë një paralelizëm, sa ironike mund të tingëllojë kur në mes të pikut të turizmit, prishi Prestige Resort. Po e them si eksperiencë në televizionin ku pikërisht punoj. Por nuk e di sa ironike mund të jetë kjo për sa i takon turistëve për t’i akomoduar këtu dhe për t’i dhënë një situatë të qetë e të mirë për të shijuar pushimet e tyre.

Robert Aliaj: Po unë e kam thënë më parë, e kam thënë dhe pse është keqkuptuar, ndoshta dhe më kanë keqkuptuar njerëzit. Nuk e di pse s’kuptohen njerëzit që kjo… një koncert që ishte në fund të fundit një iniciativë private, sepse qeveritë nuk bëjnë koncerte. I vetmi, i vetmi individ që ka takuar në jetën e vet, individ flas me kreditë e pushtetit, dua të thëm që përfaqëson shtetin, ministër, apo kryeministër, apo president në Evropë, është i vetmi, është një shqiptar, që është Edi Rama, që e pa dhe ja hapi dhe zorrat, dhe kryeministrinë e trajtoi siç quanin lajm në kohën e Enver Hoxhës. Duhet të them që as Ramiz Alia, që bëri të njëjtën gjë si Edi, që solli Al Banon, nuk e takoi, nuk e çoi veten deri aty të bëhet zorraxhi fare. Domethënë, nuk i dha rëndësi shumë, e përdori për të treguar që ne jemi më të hapur, kemi tendenca e kështu, siç u përdor për propagandë. Edhe këtë radhë u përdor. Por qartë dështimi është aty sepse nuk ka mundësi një qeveri të alokojë buxhete të fondit rezervë me tekat e secilit pa pasur nevojë, sepse janë 1 milion nevoja më përpara se të shkojmë aty, që s’është nevojë fare. Bile nuk kemi pse t’i referohemi kësaj ne, para kësaj duhet të themi që… pra, kjo ishte për sa i përket të gjitha gënjeshtrave që u thanë për turizmin.
Sigurisht që ky nuk është turizëm. Mbi të gjitha, nuk është turizëm kulturor. Turizmi duhet të lidhet me domosdo, jo vetëm për kushtet që është Shqipëria, që është një vend që njihet shumë keq edhe pak për vlerën e vet që ka. Flas tani, nuk po them vetëm detin, det ka kudo. Shqipëria tërhoqi njerëz në fillim për çmimet që ka. Tani po ndryshojnë situatat, po tani çfarë turistësh po ndjellim ne, po thithim?

Sigurisht, unë e di se kam bërë nja tre udhëtime në Shqipëri me të huaj. Domethënë, një herë i kam marrë vetë, në dy raste kam dërguar belgë, njerëz shumë të rëndësishëm këtu. Gati diku te, në një rast 17 veta, në një rast 20 veta, të cilët e kanë vizituar Shqipërinë. Në një rast ka qenë prokuror i Pallatit të Drejtësisë belge, të cilët unë nuk i kisha takuar kur ishin kthyer mbas ca kohësh. Dhe në një event që patëm ne midis njerëzve të njohur e kështu, ku isha i ftuar unë, takova një nga këta prokurorët dhe i thashë: “Shiko se ju shkuat atje…” dhe unë kisha rregulluar pak, të paktën si të thuash një autobus, diçka, një lloj trajekti ku do shkonin ata, që të plotësonte pak një panoramë të bukur për Shqipërinë, në jug gjithmonë, se s’kishte kohë për të shkuar në veri.

Dhe ata, mbasi qëndruan një natë në Tiranë, më thanë që… më tha që: “Ishte një qytet… nuk të kemi thënë pikërisht për këtë, Tirana është një qytet pa identitet, pa histori. Ishte sikur është ndërtuar, domethënë, një qytet i bombarduar dhe është ndërtuar të nesërmen kështu random, shpejt e shpejt për të futur njerëzit brenda.” Nuk e pëlqyen fare Tiranën. Dhe në jug, që natën e parë që shkuan, të nesërmen u tmerruan dhe, edhe pse ishte çdo gjë e paguar, shkuan në Korfuz. “Pra, ikëm – tha, – se ishte tmerr, ishte e patolerueshme. Domethënë, u zhgënjyem dhe nuk donim të të thonim.” Kjo është arsyeja pse s’më thanë. Ky është një impakt i një kategorie turizmi i cili nuk vjen të plasi si bratkosë në diell. Janë njerëz, në përgjithësi turistët, të paktën nga ne, nga shoqëria e mesme, kërkojmë të zbulojmë vendin. Dhe turizmi në gjithë botën kërkon që të na ofrojë sa më tepër, të promovojë trashëgiminë e vet kulturore edhe synon pikërisht që neve të na edukojë dhe të na pasurojë kulturalisht nëpërmjet këtij kontakti drejtpërdrejtë me kulturën e vendit ku shkojmë, ose ata që vijnë këtu, e kupton? Dhe kjo krijon jo vetëm të ardhura ekonomike për komunitetin, sepse do ketë aty artizanë, do ketë guida turistike, do ketë restorante ndoshta tradicionale, por mbi të gjitha është një strategji për të forcuar identitetin tonë kulturor, trashëgiminë tonë kulturore. Jo të bëjmë ne gam-gam sa më shumë këtu, por duke ia ofruar këtë akses edhe një turisti që ka pak mundësi ekonomike dhe e ka në dorë për ta vizituar një vend.
Pra, infrastrukturë duhet të ketë jugu: autobusa që çojnë njerëz modestë nga një cep në tjetrin, sepse nuk kanë njerëzit kaq shumë para për të bredhur me taksi edhe kaq shtrenjtë, e të humbasin kohë vetëm duke ecur rrugëve. E kam gjithmonë për atë kategori që tha kryeministri që “do harxhojnë para këtu” — nuk harxhojnë para. Edhe mos t’u vijë keq njerëzve kur them “me bukë në sqetull”, se nuk e kam për të denigruar shqiptarët fare. Flas për të huaj që vijnë me bukë në sqetull sepse kontrollojnë ushqimin ose janë njerëz…

Gazetarja: Dhe ju e keni eksperiencën tuaj me turistët, ju e përmendët. Dua t’ju pyes pak tani, ju jetoni në Belgjikë por vini edhe në Tiranë. Keni marrë fjalën madje edhe në protestë herë pas herë. Kur vini, si e shikoni Shqipërinë? Çfarë shqetësimi shihni ndër njerëz dhe çfarë fryme patë ju tek ajo protestë e qytetarëve, që është në ditën e saj të 45-të tashmë? Fryma që ju patë teksa ishit aktualisht, dhe me gjasë do të riktheheni, apo jo?
Robert Aliaj: Shiko, unë vij në Shqipëri me shumë dashuri. Domethënë, s’ka nevojë ta them se më duket një gjest hipokrit. Po seriozisht po ta them, është hipokrite sepse e kam brenda meje atë dhembshurinë për atë vend, nuk ka nevojë fare as ta deklaroj. Pra, vij sepse e kam nevojë. E kam nevojë. Le të jem unë këtu (në Belgjikë), shumë mirë jam, nuk kam nevojë për asgjë. Problemi është që nevojat e mia janë dhe për atë vend ku unë u rrita, u bëra 30 vjet dhe kontribuova aq sa munda në jetën time. Dhe nuk është që unë dua të marr mbrapsht kontributin që dhashë, është që unë dua të shoh frytet e asaj — si brez flas tani, frytet e diçkaje.
Unë isha 30 vjeç kur e lashë, kanë kaluar dhe gati 30 vjet të tjera. Pra, vendi është pseudo-i zhvilluar, në kuptimin se kur flasim që ndërtohen kulla, nuk është zhvillim ekonomik kjo. Ky është zhvillim ekonomik i xhepit të një oligarku, të një ndërtuesi, të një privati që ndërton, edhe le të ndërtojë ai. Mënyra si ndërtohet pastaj, është një histori tjetër fare.

Kështu që, kur sheh një Tiranë e cila shkatërron gjithçka identitare, shkatërron gjithçka që si gjurmë ekzistence e këtij qyteti, në këmbim të një paçavure si të thuash moderniteti, është e dhimbshme. Është e dhimbshme sepse, jo vetëm për faktin që unë si qytetar dhe kategoria ime e njerëzve të moshës sime, të brezit tim, që janë të atashuar… ne e humbëm këtë atashim me Shqipërinë. Dhe kjo ka një kosto gjigante që kryeministri nuk e shikon fare, se kryeministri është akoma në vitin 1991 si mindset. Mënyra si procedon është krejtësisht ashtu: me shantazhe, me fyerje, me të gjitha, me rezistencë. Vendos policinë të përplaset me njerëzit, arrogancë… domethënë, të gjitha këto tregojnë panikun që ka për të humbur shtetin. Pra, duhet të vij prapë këtu, që kjo është pjesa që mua më përket: të vij dhe ta gjej siç është, edhe që më vret kur vjen puna tek protesta. Po prapë tek pyetja jote, këta njerëz janë ngritur për të njëjtat gjëra që thashë unë. Duan një vend që u përket dhe ku jetohet më mirë se ç’bënë këta në 30 vjet. Këta dështuan të ndërtojnë shtet në 30 vjet, të gjitha palët. Këta jo dështuan, po këta e masakruan. Këta kanë sukses në shkatërrimin total të gjithçkaje. Domethënë është jashtëzakonisht e vështirë se si mund të kthehesh mbrapa.

The post Propaganda e Qeverisë kundër protestës, “Prestige Resort” u shemb në pikun e sezonit turistik/ Robert Aliaj: Rama si Enveri, ia kaloi edhe Ramizit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme