Rusia mohoi të ketë pasur rol në një përpjekje të dyshuar për grushtshtet në Mal të Zi, e cila ka përfshirë edhe një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit pro-evropian, Millo Gjukanoviq.
“Ne, kategorikisht, e mohojmë mundësinë e përfshirjes zyrtare në organizimin e ndonjë veprimi joligjor”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, transmeton rel njoftimin.
Autoritetet malazeze kanë thënë se hetimet kanë treguar se nacionalistët rusë qëndrojnë prapa komplotit të dyshuar për vrasjen e Gjukanoviqit.
Kryeprokurori special i Malit të Zi, Millivoje Katniq, ka thënë të dielën se hetuesit kanë konstatuar se “nacionalistët nga Rusia” kanë organizuar një grup kriminal, që ka planifikuar të hyjë në Parlament dhe të vrasë Gjukanoviqin më 16 tetor – në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi.
Katniq ka thënë se hetuesit nuk kanë gjetur prova për përfshirjen direkte të shtetit rus në grushtshtetin e planifikuar dhe në përpjekjen për të vrarë Gjukanoviqin, me qëllim sjelljen e opozitës pro-ruse në pushtet.