Sakte.net /e Premte 30 Shtator 2016 – 10:41
Bruksel, 30 shtator – Bisedimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes mbi telekomunikacionin, të cilat kanë nisur nga e hëna, pritet të përmbyllen sot.
Sipas burimeve serbe, po bisedohet për numrin e lokacioneve për stacionet bazë në jug të lumit Ibër dhe rreth frekuencave, që lidhet drejtpërdrejt me shkallën e mbulimit të mjediseve serbe me sinjalet e kompanisë Telekom të Serbisë, transmeton Koha.net.
Në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë theksojnë se ekipi negociator i Beogradit nuk ka pranuar që mjediset serbe të kufizohen në teknologjinë 2G pa internet dhe vetëm në thirrjet tonike, siç donte Prishtina të imponojë, dhe që në këtë mënyrë të diskriminojë përdoruesit e kompanisë serbe në Krahinë, siç vazhdon ta quaj Beogradi zyrtar shtetin e Kosovës së pavarur.
Mediet e Beogradit bëjnë të ditur se “Serbia është e gatshme t’ia vë në dispozicion për përdorim një numër thirrës, kod telefonik për”, siç e theksojnë ato, “rajon gjeografik nëse sigurohet, para së gjithash, bartja e pronës së “Telekom Srbija” në Krahinë në “kompaninë bijë” dhe funksionimin e saj të papenguar në tërë territorin e Kosovës e Metohisë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha dje para deputetëve, se Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve dhe jo Beogradi do t’i japë Kosovës kodin ndërkombëtar telefonik, për të cilin në emër të Kosovës ka aplikuar Austria.
Edita Tahiri, ministre për Dialog, ka thënë se gjatë gjithë këtij raundi bisedimesh për kodin telefonik, që është duke u zhvilluar në Bruksel, Serbia kërkon që të uzurpojë asetet e Telekomit të Kosovës për llogari të një operatori serb. Sipas saj, kjo nuk do të lejohet.
“Marrëveshja për kodin telefonik si pikë kryesore ka që Serbia do t’i shkruajë letër ITU-së, me të cilën pajtohet që Kosova do ta marrë kodin telefonik shtetëror. Në këmbim të kësaj, ne jemi pajtuar që të japim një licencë të përkohshme dhe të kufizuar për një kompani të re e që në këtë rast është dega e Telekomit të Serbisë, por e regjistruar në Kosovë, në bazë të ligjeve të Kosovës”.
“Siç e dini, licenca që do ta japim ne në këmbim të kodit telefonik, është e përkohshme me fushëveprimtari të kufizuar. Pra deri në një numër antenash. Është fjala për 22 stacione dhe 31 antena, që nuk shtrihen në gjithë Kosovën, por vetëm në disa pjesë, jo vetëm në veri, por ku ka më shumë popullatë serbe. Licenca jonë nuk u jep shtrirje në gjithë Kosovën dhe këta krejt këto dy-tre ditë kanë kërkuar shtrirje në mbarë Kosovën”, ka theksuar Tahiri.