Një bombul gazi raportohet të ketë shpërthyer në një banesë në fshatin Troshan të Lezhës. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, ka mbetur e plagosur një grua 67-vjeçare, e cila raportohet të jetë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të plota të këtij shpërthimi.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Informacion paraprak / Rreth orës 11:25, në fshatin Troshan, Lezhë, tek banesa e shtetasit M.L. ka shpërthyer një bombul gazi ku për pasojë janë shkaktuar dëme materiale në banesë si dhe është lënduar shtetasja Gj.L. 67 vjeçe, e cila është dërguar për mjekim më të specializuar në QSU Tiranë. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



