E hëne 14 Nentor 2016 – Sakte.net /
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka bërë dy emërime kyçe në kabinetin e tij.
Reince Priebus, kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, do të jetë shef i stafit. Në këtë rol, ai do të vendosë për përbërjen e re të Shtëpisë së Bardhë dhe do të shërbejë si kanal midis Kongresit dhe Qeverisë.
Stephen Bannon, nga Rrjeti i Lajmeve Breitbart, do të shërbejë si kryestrateg i Trumpit.
Bannon ishte larguar përkohësisht nga posti i shefit ekzekutiv të Breitbart për të shërbyer si shef i fushatës së Trumpit.
“Steve dhe Reince janë liderë të kualifikuar, që kanë punuar mirë në fushatën tonë dhe na kanë udhëhequr drejt fitores historike. Tani do t’i kem të dy në Shtëpinë e Bardhë, për ta bërë Amerikën të madhe përsëri”, ka thënë përmes një deklarate Trump.
Trump, kandidat i Partisë Republikane, ka mundur rivalen demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet e javës së kaluar.
Ai do të marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar, kur edhe presidenti i deritashëm, Barack Obama, përfundon mandatin e dytë.
Në intervistën e parë si president i zgjedhur, për televizionin CBS, Trump ka thënë se do të dëbojë ose burgosë deri në tre milionë migrantë të paligjshëm, me lidhje kriminale.
Trump ka thënë se nuk do të përmbysë legjislacionin për martesa midis çifteve me gjini të njëjtë.
Ai po ashtu ka thënë se do të heqë dorë nga paga e presidentit prej 400,000 dollarësh në vit dhe, në vend të kësaj shume, do të marrë vetëm një dollar.
Trump ka thënë se do të mendojë nëse do të emërojë ose jo një prokuror të posaçëm për të hetuar Hillary Clintonin mbi përdorimin e emailit privat gjatë kohës sa ka qenë Sekretare e Shtetit në administratën Obama.
Gjatë fushatës, ai ka thënë se do ta dërgonte atë në burg, nëse do të zgjidhej president.
Duke folur për CBS-in, Trump ka thënë se nuk do të donte t’i lëndonte Clintonët, të cilët, sipas tij, janë “njerëz të mirë”.
Ai i ka bërë këto komente derisa mijëra njerëz kanë protestuar për të pestën natë me radhë, në disa qytete të mëdha të SHBA-së, kundër zgjedhjes së Trumpit president.
Trump ka thënë se demonstruesit “nuk e njohin atë” dhe u ka kërkuar që “të mos kenë frikë”, sepse, siç ka thënë, “ne do ta rikthejmë vendin tonë”.
Trump është zgjedhur presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, pas një fushate që është konsideruar si më e pista në historinë amerikane.