E mërkurë, 26 Tetor 2016 – Sakte.net
Një tjetër aksident i rëndë është shënuar në segmentin e dëmtuar të rrugës Elbasan – Librazhd, në afërsi të Xibrakës. Për shkak të ngushtimit të rrugës, si pasojë e shembjes së një pjesë të saj,një autobot i transportit të karburantëve goditi barrierën prej betoni të vendosur aty provizorisht dhe përfundoi në lumë.
Për fat të mirë nuk pati viktima ndërsa drejtuesi i autobotit mori plagë të lehta. Ky segment rrugor i dëmtuar që prej 7 Janarit të këtij viti është bërë shpesh burim aksidentesh, por autoritetet kanë zvarritur prej 10 muajsh rindërtimin e tij.
Asnjë masë nuk është marrë edhe pse aksidentet kanë qenë të shumta dhe drejtuesit e automjeteve kanë kërkuar shpesh ndërhyrje urgjente.
Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 99 milionë lekë të reja për rindërtimin e këtij aksi. Por tenderi nuk ka përfunduar. Ardhja e dimrit dhe përkeqësimi i motit i vështirëson punimet në këtë pikë të rrezikshme. 10 muaj më parë u premtua se ndërhyrja do të ishte urgjente, madje se do të bëhej edhe një projekt për devijimin e rrjedhës së lumit.
Në atë kohë edhe deputeti i zonës Taulant Balla paditi në Prokurori ish – Ministrin Genc Pollo si përgjegjës për dëmtimin e rrugës pasi kishte lejuar shtrimin e fibrës optike duke sjellë dëmtime në të. /Tv Klan